75 Mall Live Search
08:53 / E Hënë, 20 Janar 2025 / AR

Sot përfundon afati për vëzhgues të subjekteve politike

Sot (20 janar) përfundon afati shtesë për subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit që të paraqesin vëzhguesit e tyre.

Lajmi për RTK-në është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Po, afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë sot, më 20 janar 2025, ndërkaq afatet për akreditimin e mediave, OJQ-ve, organizatave qeveritare – ndërqeveritare, përfaqësuesve të vendeve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare, janë duke vazhduar”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, këto janë afatet e tjera që janë duke vazhduar:

– Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore do të përfundojë më 25 janar 2025;

– Afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të organizatave qeveritare – ndërqeveritare do të përfundojë, më 25 janar 2025;

– Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë, më 4 shkurt 2025;

– Afati për dorëzimn e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të përfaqësive të vendeve të huaja do të përfundojë, më 25 janar 2025;

– Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare do të përfundojë, më 25 janar 2025.

KQZ-ja për të lehtësuar aplikimin, ka funksionalizuar platformën online: https://apliko.kqz-ks.org/

Si bëhet aplikimi?

Hapi i parë:

Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org .

Hapi i dytë:

Pas aplikimit, Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të subjekteve politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP-ja, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.