Sot përfundon fushata në veri, kandidatët të gatshëm për garë
Të dielën, më 19 maj, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunave në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.
Gjatë pesë ditëve, sa zgjati fushata
zgjedhore, kandidatët për kryetarë të këtyre komunave shpalosën programet e
tyre politike. Në këtë garë zgjedhore marrin pjesë edhe dy parti politike
shqiptare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Sot përfundon fushata elektorale e partive politike për zgjedhjet e
jashtëzakonshme në veri të vendit, të cilat pritet të mbahen të dielën, më 19
maj. Në këtë garë zgjedhore për kryetar të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zvecanit
dhe Mitrovicës Veriore marrin pjesë edhe dy subjekte politike shqiptare, Partia
Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Kandidatja nga PDK, Gonxhe Çaushi, tha për
Radio Kosovën se do të punojë në kthimin dhe mirëbesimin e komuniteteve atje.
Ajo u shpreh se program i saj politik është fokusuar në integritetin dhe
tolerancën ndëretnike.
”Duke komunikuar me të gjitha shtresat e shoqërisë në veri, kushti i parë për
të ecur tutje. Pastaj kthimi dhe rindërtimi i shtëpive të djegura gjatë luftës,
zhvillimi i infrastrukturës rrugore, ndërtimi i çerdheve dhe shkollave për
banorët e kësaj pjese, ku do t’i shërbenin të gjithëve. Pra, një çerdhe
multietnike e kështu me radhë.”
Ndërkaq, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Veriut,
Erden Atic, tha se qëllimi i tyre është rritja e sigurisë për banorët e veriut,
zhvillimi ekonomik, kthimi i të zhvendosurve si dhe bashkimi i qytetit të
Mitrovicës.
”Plan më afatgjatë, punët konkrete për ribashkimin e Mitrovicës, ashtu siç ka
qenë më herët para ndarjes administrative. Programi kryesisht bazohet edhe në
krijimin e vendeve të punës, luftimin e korrupsionit dhe ngritjen e
llogaridhënies që mbizotëron në Komunën e Mitrovicës Veriore si dhe
llogaridhënie dhe transparencë.”
Procesi zgjedhor në veri do të monitorohet vetëm nga vëzhguesit e akredituar
nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, thotë zëdhënësi në KQZ, Valmir Elezi. Ai u
ka bërë thirrje subjekteve politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre, që
t’u përmbahen ligjeve të Republikës së Kosovës dhe rregullave zgjedhore.
”Pa dyshim se subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre kanë rolin
kryesor për proces zgjedhor të qetë, të lirë dhe demokratik. Prandaj, ne bëjmë
thirrje që kjo të arrihet!”
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka angazhuar 670 komisionarë për
zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit,
që do të mbahen të dielën. Komisionarët do të angazhohen në 44 qendra të
votimit në gjithsej 87 vendvotime. Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22
mijë e 242 persona, në Leposaviq 18 mijë e 390 persona, në Zveçan 9 mijë e 276
persona dhe në Zubin Potok 8 mijë e 612 persona. Presidenti i vendit, Hashim
Thaçi,ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore pas dorëheqjes së
kryetarëve atje në shenjë revolte për vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj
produkteve me origjinë nga Serbia.