08:51 / E Martë, 06 Dhjetor 2022 / LB

Sot Samiti i BE, Berisha thërret protestë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Në të njëjtën ditë që mbahet takimi i nivelit të lartë mes udhëheqësve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, opozita ka paralajmëruar organizimin e një proteste. Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, deklaroi se manifestimi organizohet në mbrojtje të vlerave europiane, të cilat sipas tij, po rrezikohen dhe po kërcënohen nga kreu i qeverisë.

“ Është dita e qytetarëve që aspirojnë për liri, dinjitet dhe transparencë. Është dita e shqiptarëve që besojnë se Shqipëria është një tokë e bekuar, që me mirësitë dhe rezervat e saj, mund të begatojë kombin. Me kushtin e vetëm, të ketë një qeverisje demokratike. Me kushtin e vetëm të ketë një qeveri të palidhur me krimin, siç është qeveria e Edi Ramës”, tha zoti Berisha.

Opozita ka kërkuar që të protestojë përpara selisë së qeverisë. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga policia, sipas së cilës kjo zonë është pjesë e perimetrit të sigurisë për takimin e nivelit të lartë.

“Siguria e 32 delegacioneve shtetërore me udhëheqësit e tyre nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve të lartë të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vendosim sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, mbi dëshirën gjeografike për të protestuar”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku. Ai tha se opozita është e lirë të zhvillojë protestën e saj, në çdo zonë tjetër jashtë atij që konsiderohet si perimetër sigurie.

Ndërkohë policia ka marrë masat të rrepta për mbarëvajtjen e këtij samiti.

Që prej mbrëmjes së kaluar janë zhvilluar kontrolle për mbarëvajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.

Njësia Anti-Eksploziv e Repartit Elitë RENEA në bashkëpunim me Gardën e Republikës bënë kontrolle të imtësishme brenda perimetrit të ngushtë të sigurisë.