Sot, takimi Thaçi-Kurti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohen sot në Zyrën e Presidencës, pas ftesës së tretë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë nga kreu i vendit.
“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë, zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres!”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje midis partisë fituese dhe partnerit qeverisës, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.
Ndërsa, Kurti ditë më parë ka thënë se do të takohet me presidentin Thaçi, por ai nuk e përcakton datën e formimit të Qeverisë.
“Mua vetëm LDK-ja ma përcakton datën e formimit të Qeverisë”, ka thënë ai.
Ndryshe, para këtij takimi LDK-ja, do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme, atë të kryesisë dhe të Grupit parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e LDK-së për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me VV-në.
Mediat kanë raportuar se VV-ja tashmë i ka bërë një ofertë LDK-së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK-së t’ia marrë gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK-së, dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV-së, duke u barazuar 5-5 sa u përket ministrive./Indeksonline/