Sot testohen dhjetë mjekë të Llapit që patën kontakte me të infektuarit me COVID-19

10 mjekë e infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë do të testohen sot për të parë nëse janë të infektuar me koronavirus. Përveç mostrave të personelit shëndetësor, ekipet e IKSHP’së, kanë marrë edhe mostrat e shtatë personave që janë kthyer para dy javësh nga Italia.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar epidemologja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent në këtë komunë.
Sipas Ramës, gjendja e mjekëve dhe infermierëve është e mirë, por meqenëse kanë pasur kontakt me personat e infektuar, ata duhet të testohen.
“Para dy ditëve kemi ba kërkesë në Institutin Kombëtar të SHëndetësisë Publike që me ardh edhe me e testu personelin shëndetësor këtu në QKMF. Bëhet fjalë për 10 mjekë e infermierë. Sot, ekipet e IKSHP’së kanë ardh edhe i kanë marrë mostrat e peresonit dhe të dy familjeve që kanë ardh para dy javësh nga Italia. Gjendja e peresonit është e mirë, por meqenëse kanë pasur kontakt me personat e infektuar nga kjo komunë, duhet të testohen. Jemi në pritje të rezultateve”, ka thënë Rama.
Aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 33 persona të infektuar me COVID-19. ër gjendjen e tyre ka folur infektologu, Salih Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se shtatë prej të infektuarve janë në gjendje të rëndë, sidomos tre prej tyre.
“Aktualisht në Infektivë janë të shtrirë 33 persona të infektuar. Gjendja e shtatë prej tyre është e rëndë, sidomos tre janë në gjendje shumë të rëndë. Janë duke u trajtu me terapi, tash ta shohim”, ka thënë Ahmeti.
Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 88.
Sipas IKSHP’së, një prej rasteve është me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë.
“Sot me 27.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 108 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftim.