Sot, tetë vjet pa Adelën, vajzën që fiksoi shqiptarët nga ekrani
Sot mbushen plot 8 vjet që Adelajda Xhamani nuk është më mes nesh.
Ish-banorja e “Big Brother Albania 2”, gazetarja dhe vajza e guximshme nga Kavaja, u nda nga jeta në mënyrë të papritur më 29 tetor 2017, duke lënë pas dhimbje, kujtime dhe një ndjenjë të fortë padrejtësie për jetën e saj të ndërprerë shumë shpejt.

Kolegu dhe miku i saj, Eraldo Rexho, e ka kujtuar sot me një postim prekës në rrjete sociale, ku shkruan thjeshtë por me shumë emocion: “8 vjet pa ty.” Fjalë të pakta, por që mbartin gjithë mallin për një vajzë që jetoi fort, dashuroi fort dhe luftoi për vendin e saj në një botë që shpeshherë s’e kuptoi.
Adelajda u bë e njohur për publikun shqiptar si pjesëmarrëse në “Big Brother Albania 2”, ku spikati për inteligjencën, mendimin e lirë dhe sinqeritetin e rrallë.

Në një kohë kur vajzat në televizione ende gjykoheshin për mënyrën si flisnin apo për mendimet që shprehnin, ajo theu tabutë,foli hapur për dashurinë, për jetën e saj personale dhe për sfidat që kishte kaluar, duke u bërë simbol i vajzës moderne shqiptare që nuk frikësohet të tregojë veten ashtu siç është.
Pas daljes nga spektakli, ajo vijoi karrierën në media dhe gazetari, duke punuar në redaksi të ndryshme dhe duke ndjekur pasionin e saj për komunikimin. Miqtë dhe kolegët e kujtojnë si një vajzë me shpirt të ndjeshëm, por gjithmonë me buzëqeshje, që kërkonte të bënte diçka ndryshe në çdo vend që shkonte.
Fatkeqësisht, mëngjesin e 29 tetorit 2017, ajo u gjet pa jetë në banesën e saj në Tiranë. Sipas raportimeve të kohës, dyshohej për arrest kardiak, ndërsa më pas u përmend se kishte pasur probleme shëndetësore të lidhura me epilepsinë. Shumë që e njihnin nga afër thanë se ajo kishte kaluar periudha të vështira emocionale, por asnjëherë nuk e kishte humbur dashurinë për jetën dhe ëndrrat e saj.
Adelajda iku në kulmin e rinisë, në një moshë ku gjithçka sapo kishte filluar. Një jetë që u tregua e padrejtë, por që la pas kujtime të forta dhe një shembull për vajzat që guxojnë të jenë vetvetja.
Sot, në këtë 8-vjetor, kujtimi për të mbetet i gjallë, jo vetëm në zemrat e atyre që e njohën, por edhe në kujtesën kolektive të publikut që e pa të rritej, të qeshte dhe të luftonte në ekran. Adelajda Xhamani mbetet përherë simbol i sinqeritetit, guximit dhe ndjeshmërisë njerëzore.

