75 Mall Live Search
09:59 / E Diele, 30 Qershor 2024 / Gj. Sh

Southgate: Anglia, skuadër gjigante

Anglia po përgatitet të përballet me Sllovakinë për ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/8-ave të Kampionatit Europian, në një atmosferë aspak të qetë. Në fakt, në Angli ka shumë skepticizëm për një nga skuadrat e cilësuara nga të gjithë si favorite, por që deri më tani nuk ka bindur aspak për sa u përket paraqitjeve.

Trajneri Gareth Southgate foli për revistën e Federatës së Futbollit në prag të ndeshjes së madhe, pa reflektuar shqetësim:

“Gjithçka që ka ndodhur deri më tani është e parëndësishme. Ne kemi themele mbi të cilat mund të ndërtojmë dhe ajo që na pret është një fazë tjetër. Ne duhet të gjejmë nivelin tonë më të mirë dhe mendoj se është e mundur”.

Dhe për ndeshjen e radhës kundër Sllovakisë, Southgate deklaroi:

“Do të jetë diçka emocionuese. Kemi pasur shumë probleme për të zgjidhur, si ekip, javët e fundit, por Anglia mbetet një gjigant i futbollit dhe ne jemi në rrugën e duhur”.

Optimizëm nga ana e trajnerit, i cili nuk i harron kundërshtarët e tij: “Është një ekip i stërvitur mirë – tha trajneri për Sllovakinë e Calzonas – ka një identitet të qartë loje. Lobotka është pa dyshim kyç në këtë sistem. Ai dikton ritmin”.