16:32 / E Mërkurë, 08 Mars 2023 / S Z

SPAAC: Qeveria ta shkarkojë Bujar Ejupin për ta kthyer stabilitetin në sektorin e Aviacionit Civil

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil AAC- SPAAC ka reaguar pas refuzimit të Raportit vjetor të Drejtorit të AAC-së Bujar Ejupi, nga Kuvendi i Kosovës.

Në reagim thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka refuzuar Raportin vjetor të Drejtorit Bujar Ejupi të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2021 me 57 vota kundër dhe 4 abstenime dhe se ky është raporti i dytë vjetor me radhë që i refuzohet Drejtorit Bujar Ejupi nga Kuvendi.

SPAAC falënderon deputetët e Kuvendit të Kosovës për angazhimin dhe mirëkuptimin e tyre që të kuptojnë më për së afërmi veprimet e dëmshme të Drejtorit Ejupi, të cilat i kanë sjell dëm të pariparueshëm sektorit të aviacionit civil të Kosovës.

“Raporti Vjetor 2021 i AAC në fakt është raport i dështimeve të drejtorit në të cilin ka fshehur të gjitha shkeljet profesionale dhe përndjekjen e vazhdueshme të stafit, prandaj edhe e ka marrë votën meritore nga Kuvendi.  Si për koincidencë kjo ndodhi sot, më 8 mars 2023 mbase si përgjigje ndaj Ejupit i cili vazhdimisht ka preferuar që autoritetin e tij ta shfaq ndaj grave profesioniste në këtë institucion duke i përjashtuar nga puna e ndëshkuar pa bazë dhe ushtruar dhunë psikologjike në mënyrë sistematike ndaj tyre për çka ato kanë dorëzuar peticion në Kuvend”, thuhet në reagim.

Ky refuzim i Raportit të Drejtorit Ejupi nga Kuvendi sipas SPAAC vjen pas refuzimit që ia ka bërë më parë Bordi Mbikëqyrës i AAC-së, Komisioni për Buxhet dhe Financa si dhe dëgjimeve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore.

SPAAC i bën thirrje Ministrit Liburn Aliu dhe Qeverisë për të iniciuar procedurën për shkarkim të Bujar Ejupi, për ta kthyer stabilitetin në sektorin e aviacionit civil në Republikën e Kosovës./Indeksonline/