75 Mall Live Search
13:00 / E Diele, 28 Shtator 2025 / Burim

Spahiu: Kushtetuesja duhet të japë vendim shterues për konstituimin e Kuvendit, Kosova mos të mbetet peng i komunitetit serb

Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu ka komentuar pritjet e tij nga vendimi që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, ky vendim duhet të jetë i qartë dhe shterues për të gjitha çështjet që kanë shkaktuar ngërç politik tash e disa muaj.

Në një prononcim për IndeksOnline, Spahiu ka kritikuar vonesën e Kushtetueses për të dhënë sqarime të plota që në fillim të ngërçit institucional.

“Qysh në pyetjen e parë që i është drejtuar, Gjykata është dashur të japë sqarime për të gjitha çështjet dhe një shpjegim shterues, e jo të zvarrisë punën deri tani”, ka thënë Spahiu për IndeksOnline.

Tutje ai ka shtuar se Kushtetuesja duhet të vendosë në mënyrë që të mos ndryshojë natyrën e shtetit dhe të mos e lërë funksionimin e parlamentit në mëshirën e vullnetit të një komuniteti minoritar.

“Kushtetuta thotë që duhet të ketë një nënkryetar nga komuniteti serb, por duhet të sqarohet nëse parlamenti mund të funksionojë edhe pa të, në rast se askush nga deputetët serbë nuk është i interesuar për këtë post. Gjykata duhet të sqarojë në mënyrë të shteruar të gjitha situatat hipotetike për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Çka nëse asnjëri nga 10 deputetët nga komuniteti serbë nuk merr votat? Çka nëse askush nga komuniteti serb nuk është I interesuar të jetë nënkryetar. Këto situata duhet të dallojnë në trajtimin e Gjykatës. Nëse nuk merr votat asnjëri atëherë gjykata duhet të sigurojë mekanizma detyrues që të paktën njëri të votohet. Nëse asnjëri nuk është I interesuar atëherë Parlamenti duhet të konsiderohet I konstituar edhe pa nënkryetarin e pastë. Funksionimi i Kuvendit nuk mund të mbetet peng i komunitetit serb”, ka thënë Spahiu për IndeksOnline.

Ai po ashtu ka folur edhe për bllokadën politike që, sipas tij, po mbahet qëllimisht nga partitë për të penguar krijimin e qeverisë.

“Partitë politike po kanë interes që parlamentin ta mbajnë të bllokuar”, ka thënë Spahiu.

Duke komentuar zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, Spahiu e ka cilësuar atë si një “aksident politik” të krijuar nga lojërat mes partive.

“Zgjedhja e tij aksidentale është bërë në një lojë nervash mes Vetëvendosjes dhe PDK-së e AAK-së. Po të kishin dëshirë ta tejkalonin ngërçin, ose deputetët e VV-së do ta votonin nënkryetarin e Listës Serbe, ose opozita do ta votonte Nenad Rashiqin, por të dyja palët nuk donin zgjidhje”, ka shtuar Spahiu.

Gjykata Kushtetuese pritet që në ditët në vijim të shpallë vendimin përfundimtar, i cili pritet të përcaktojë hapat e mëtejmë për funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës. /IndeksOnline/