75 Mall Live Search
23:10 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / Burim

Spahiu: Vendimet e mëparshme ishin amatoreske, këtë herë Kushtetuesja shkëlqeu!

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kushtetueses votimi “në pako” për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordim ndërmjet grupeve parlamentare.

Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu thotë se më në fund kemi një vendim të drejt nga Kushtetuesja.

Sipas tij,  vendimi i fundit i Kushtetuese ishte një një vendim profesional dhe i argumentuar në mënyrë të plotë.

“Për dallim prej herëve të tjera kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese ishin amatoreske, këtë herë vendimi dhe arsyetimi i saj ishte shterrues”, ka thënë Spahiu për IndeksOnline.

Sipas tij, vendimi i fundit hap rrugën e duhur për konstituimin e Parlamentit të Kosovës.

“Vendimi është profesional dhe hap rrugën e duhur për konstituimin e parlamentit”, ka thënë Spahiu për IndeksOnline.

Megjithatë, duke parë qëndrimet e partive politike,  Spahiu është shprehur i rezervuar për të komentuar nëse vendi do të këtë së shpejti qeveri të re.

“Nuk e di nëse do të mund të formohet qeveria e re apo do të shkohet në zgjedhje”, tha Spahiu.  /IndeksOnline/