SPAK-u publikon bilancin: Në 2024 u dhanë 236 masa sigurie “arrest në burg”

Në një kohë kur SPAK është vënë në qendër të kritikave, kryesisht nga mazhoranca për përdorimin e shpeshtë e “pa kriter” të masës së sigurisë, “Arrest në burg”, Prokuroria e Posaçme ka provuar të sqarohet përmes publikimit të disa shifrave.
Në një postim në rrjetet sociale, SPAK-u jep informacion shterues mbi masat e sigurisë që janë për vepra të ndryshme penale përgjatë vitit 2024.
SPAK-u njofton se në vitin 2024 janë dhënë masa sigurimi për 629 persona në total, prej të cilave masa “arrest me burg” është caktuar për 236 persona.
“Nga vlera totale: Për Korrupsionin, masa “arrest me burg” zë 5.1% të masave. Për krimin e organizuar, masa e sigurisë “arrest në burg” zë 30.84% të totalit të masave të sigurimit të regjistruara”, bën me dije Prokuroria e Posaçme.
Ndërkohë, 10% e masave të sigurisë janë dhënë për krime të tjera nga ana e prokurorëve të posaçëm.
Prokuroria e Posaçme më 19 shkurt iu përgjigj po me disa statistika, kritikave në adresë të tyre. SPAK publikoi një bilanc për vitin 2024, ku figuron se vetëm 30% e personave që po hetohen prej tyre janë në masë sigurie “arrest në burg”./Indeksonline/