Spalletti flet sërish për Zhegrovën: Është një fitil i ndezur – mund të shpërthejë në çdo moment
Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti ka folur në konferencë për shtyp, para ndeshjes ndaj Udineses të martën, ku ka folur veçanërisht për yllin e kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrovën.
Juventusi e nis fushatën e tij në Kupën e Italisë të martën në mbrëmje me një ndeshje në shtëpi kundër Udineses në raundin e 1/8 së finales. Fituesi i kësaj përballjeje do të përballet me Atalantën ose Genoan në çerekfinale në shkurt.
Në konferencë për shtyp, Spalletti u pyet edhe për Zhegrovën, i cili nuk po ka minuta të kënaqshme në fushë, që nga transferimi te Juventusi në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Ai thotë se Zhegrova është një futbollit që mund të shpërthejë nga momenti në moment, por se momentalisht ai sapo është kthyer nga një lëndim i gjatë.
“Zhegrova po vjen nga një dëmtim i gjatë, por ai është futbollist, një fitil i ndezur. Kur nis, mund të shpërthejë në çdo moment. Ka atë shkëlqimin, atë cilësinë e papritur – nuk e di kurrë se çfarë mund të bëjë në çdo çast”, tha ai.
Zhegrova ka vetëm 86 minuta lojë me Juventusin në gjashtë ndeshje të këtij sezoni.

