08:19 / E Mërkurë, 04 Tetor 2017 / indeksADMonline

“Spanja do të na vrasë, presim mbrojtje ndërkombëtare”

Eurodeputeti katalonjas, Josep Maria Terricabras, ka thënë se parlamenti i Katalonjës do të shpallë sot pavarësinë e vendit duke jetësuar vullnetin e mbi 90 për qind të qytetarëve të saj, të cilët votuan në referendumin e së dielës.

Të vetëdijshëm për represionin dhe për vrasjet që mund të ndodhin nga qeveria spanjolle, populli katalonjas ka zgjedhur rrugën e tij drejt mëvetësisë. Në këtë pikë ata kërkojnë mbrojtje dhe mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, kurse prej njohjeve të para presin edhe atë nga Kosova e nga Britania e Madhe.

Zëri: U pa reagimi i qeverisë spanjolle në ditën e referendumit, çfarë pritet të ndodhë në hapat tjerë që ju do t’i ndërmerrni?

Terricabras: Parlamenti i Katalonjës do të shpallë pavarësinë të mërkurën (sot), ku edhe kemi shumicën. Ndërkohë, ne e dimë që reagimi i qeverisë spanjolle do të jetë i ashpër sepse nëse na rrahën të gjithëve gjatë ditës së referendumit, ata do ta bëjnë këtë edhe të mërkurën (sot). Dhe ky është arsyetimi më i mirë pse ne nuk mund të bashkëjetojmë me Spanjën më. Ju nuk mund të jetoni me dikë i cili ju rrah juve. Kjo është e pamundur. Kështu që gjëja më e mirë për të bërë, është të divorcohemi. Prandaj edhe ne nisëm procesin e divorcimit nga Spanja.

Zëri: Ju po thoni që të mërkurën (sot) parlamenti katalonjas do të shpallë pavarësinë e shtetit. Duke e parë kundërshtimin e Spanjës dhe veprimet e tyre me rastin e referendumit si mendoni që do të reagojnë me rastin e shpalljes së pavarësisë?

Terricabras: Ata do të mundohen që ta ndalin këtë me çdo kusht, mirëpo ne do të rezistojmë. Është e çuditshme sepse në fund të fundit ne jemi shtetas të Spanjës dhe Spanja duhet të na trajtojë në një mënyrë miqësore, mirëpo këtë nuk po e bën. Kështu që do të rezistojmë brenda këtij shteti, i cili nuk na do ne. Megjithatë, unë pres, edhe pse jo me shumë shpresë, që institucionet ndërkombëtare do të na mbrojnë ne. Kur ata të shohin që agresioni është infit, sepse qeveria spanjolle po vazhdon që në mënyrë të vazhdueshme të vrasë njerëz dhe duke shkatërruar gjithçka, unë pres një reagim më aktiv të institucioneve ndërkombëtare.