75 Mall Live Search
09:35 / E Mërkurë, 22 Maj 2024 / L K

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia vendosin ta njohin Palestinën si shtet

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë njoftuar të mërkurën se kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur.

Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë.

Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim nga palestinezët. Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda.

Këto tri vende njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën.

I pari, kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”.

Gahr Store tregoi se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez nga 28 maji.

“Duke e njohur Palestinën si shtet, Norvegjia e mbështet planin për paqe arabe”, tha ai.

Disa vende të Bashkimit Evropian kanë lënë të kuptohet në javët e fundit se e kanë ndër mend ta njohin Palestinën, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqe afatgjate në rajon.

Norvegjia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian por ndjek politikat e saj, ka qenë mbështetëse e zjarrtë e zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Terrori është kryer nga Hamasi [i shpallur grup terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja] dhe nga grupet militante, të cilat nuk janë përkrahëse të zgjidhjes me dy shtete, dhe nga shteti i Izraelit”, tha lideri i Qeverisë norvegjeze.

“Palestina ka të drejtë thelbësore për të qenë shtet i pavarur”, tha ai.