75 Mall Live Search
18:50 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / Burim

Spanja në alarm nga xhihadistët, 95 të arrestuar në 8 muaj

Në Spanjë po vihet re një përshkallëzim i vërtetë në luftën kundër terrorizmit xhihadist. Shifrat janë alarmante.

Vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit, janë arrestuar 95 persona për lidhje të dyshuara me terrorizmin. Ajo që shqetëson më tepër është rritja e rasteve të të rinjve, shpesh adoleshentë, që radikalizohen, kryesisht përmes internetit.

Pjesa më e madhe e të ndaluarve, në rreth 50 operacione të kryera që nga fillimi i vitit, janë arrestuar brenda territorit spanjoll. një e treta vetëm në Katalonjë, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar jashtë vendit në bashkëpunim me policitë e shteteve të tjera, sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Brendshme.

Ky fenomen po ndiqet me vëmendje të shtuar nga shërbimet e inteligjencës dhe antiterrorizmit, sidomos për shkak të rritjes së numrit të të rinjve të përfshirë. Ekspertët e lidhin këtë prirje me radikalizimin në internet, i cili është shtuar pas pandemisë, me përhapjen e përmbajtjeve ekstremiste në rrjetet sociale të përdorura nga të rinjtë.

Operacionet janë zhvilluar në 12 nga 17 komunitetet autonome të Spanjës dhe në qytetin autonom Melilla, në Marok. Në to janë përfshirë edhe katër gra, përfshirë dy motra të arrestuara në Madrid, të cilat drejtonin një lloj “akademie xhihadiste” online për indoktrinimin e grave myslimane.