75 Mall Live Search
14:39 / E Premte, 20 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Spanja, pa qeveri prej 235 ditësh

Spanja sot ka shënuar ditën e 235-të pa qeveri, pavarësisht dy cikleve të fundit zgjedhore.

Me ligjvënësit, të cilët janë të paaftë për t’u dakorduar për një qeveri të re, vendi u detyrua të zhvillonte dy herë zgjedhje të përgjithshme brenda një viti të vetëm, hera e parë në historinë e saj.

Zgjedhjet u mbajtën më 28 prill dhe 10 nëntor, me ç’rast bisedimet midis partive politike dështuan çdo herë.

Partia Socialiste e Punëtorëve (PSOE) fitoi të dy palë zgjedhjet, por nuk arriti të fitonte shumicën në Parlament.

Kryetari i PSOE dhe kryeministri i përkohshëm i qeverisë, Pedro Sanchez, nënshkroi marrëveshje paraprake me Pablo Iglesiasin, kreun e partisë së majtë Unidas Podemos, dy ditë pas zgjedhjeve të 10 nëntorit. Por, ata nuk kanë mjaft ligjvënës për të formuar qeverinë.

Për të formuar qeveri të majtë të pakicës, PSOE-ja ka nevojë për mbështetjen e Partisë së Majtë Republikane të Katalonjës (ERC), e cila ka kërkuar axhendë politike separatiste.

PSOE-ja ka zhvilluar bisedime me ERC-në për më shumë se një muaj, por ende nuk ka rezultate.