Spanjë: Sekuestrohen 6.5 tonelata kokainë – ngarkesa e nisur nga Panamaja
Një skuadër agjentësh të Grupit të Operacioneve Speciale të policisë spanjolle lokalizoi dhe bllokoi me ndihmën e marinës ushtarake një anije tregtare rreth 600 milje nga ishujt Kanarie, e cila po transportonte 6 mijë e 500 kilogramë kokainë.
Sipas një njoftimi të autoriteteve iberike, anija ishte 54 metra e gjatë, 12 e lartë, 4.5 metra prej të cilëve zhytej në thellësi. Ajo kishte si destinacion portin e Vigos, në veri-perëndim të Spanjës.
Falë mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar të forcave të policisë, më herët gjatë muajit policia spanjolle kishte marrë informacion nga DEA amerikane, e cila kishte sinjalizuar aktivitetet e një organizate kriminale ndërkombëtare, që synonte të transportonte një sasi të madhe kokaine përmes oqeanit Atlantik, njofton euronews.al.
Anija e ndaluar mbante një flamur të Tanzanisë dhe ishte nisur nga porti Cristobal Anch, në Panama, me destinacion Spanjën.
Nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Antidrogës, forcat e rendit koordinuan operacionin për lokalizimin e anijes dhe falë sinjalizimeve të marra arritën të parandalonin që lënda narkotike të arrinte brigjet.

