Spanjë, zjarri masiv djeg 500 hektarë pyje

Një zjarr masiv që po digjet në Spanjën qendrore ka shkatërruar më shumë se 500 hektarë pyje dhe shkurre, sipas të dhënave zyrtare.
“Situata nuk është inkurajuese”, tha Angel Iglesias, drejtor teknik i zjarrfikjes në qytetin, Mombeltran, rreth 95 kilometra në perëndim të Madridit.
Zjarrfikësit kanë luftuar me flakët, të cilat shpërthyen dje në mbrëmje, me avionë dhe helikopterë, ndërsa ekipet në terren po punojnë për të krijuar breza zjarri për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
“Megjithatë, erërat e forta vazhduan të përhapnin flakët, disa prej të cilave ishin disa metra të larta”, tha Iglesias, duke vënë në dukje se kishte shumë bimësi të përfshirë nga zjarri në terrenin malor.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile njoftoi në X se një zjarrfikës kishte vdekur gjatë rrugës për në vendngjarje kur automjeti e tij doli nga rruga.
Zona sapo ishte rikuperuar nga një zjarr shkatërrues pyjor në vitin 2009.
Ekspertët kanë paralajmëruar se shumë nga pyjet e Spanjës nuk po mirëmbahen në mënyrë të mjaftueshme dhe se reshjet e tepërta të shiut në fillim të vitit kanë çuar në një grumbullim të bimësisë, e cila është tharë nga moti i nxehtë i javëve të fundit.
“Gjatë 50 viteve të fundit, sipërfaqja pyjore është rritur me rreth 20% pasi vendet bujqësore janë braktisur”, tha eksperti i pyjeve, Rosendo Castello.