Specializantët në hall, nuk po paguhen për kujdestarinë që bëjnë në vikend dhe në festa

Gjatë mesditës, pranë SHKSKUK-së, janë mbledhur specializantë të shumtë nga klinika të ndryshme, për t’u ankuar se nuk po paguhen për kujdestaritë që bëjnë në vikend dhe ditëve të festave.
Në lidhje më këtë, për Klan Kosova ka folur edhe njëri nga përfaqësuesit e specializantëve, Dion Musliu, i cili tha se nëse nuk merren parasysh kërkesat, ata do të ndjekin rrugët ligjore.
“Ne jemi të gatshëm t’i mbajmë të gjitha kujdestaritë, edhe në vikend, edhe në ditë festa, por edhe të paguhemi për këtë, pasi që nëse punojmë pa pagesë, ne bëjmë shkelje të ligjit të punës, dhe të njëjtën e bën edhe SHSKUK-ja”, tha Musliu.
Ai theksoi se kanë njoftuar SHSKUK-në dhe drejtorët se nuk do ti mbajnë kujdestaritë e papaguara, dhe presin që ta respektojnë këtë vendim.
Sipas tij për këtë kanë përkrahje nga specialistët tjerë, ndërsa tha se kolegët e tjerë ne disa klinika kanë pasur presione të mëdha, pasi sipas tij, iu është thënë se nuk do te kenë punë sa kanë pasur deri tash nëse nuk dalin vikendit.
Musliu tregoi edhe për shifrat e pagesës për kujdestarinë që bëjnë.
“Specializantët në ditët e rregullta paguhen 45 deri 50 euro, të premten dhe të dielën, 94 deri 98 euro, ndërsa të shtunën dhe datave të festave, 140 euro, ndërsa për specialistët ka pagesa më të mëdha”.
“Kjo çështje ka bërë që shumë specializantë të mendojnë ikjen, për shkak se nuk po iu bëhen kushtet”, tha Musliu.
Për këtë, specialistët kanë tri zgjidhje para vetes.
“Ose duhet ‘i qojmë vazhdimisht në gjykatë dhe në inspektoriat të punës, ose te bëjmë protestë, ose të shkelim ligjin”.