75 Mall Live Search
14:29 / E Martë, 10 Shkurt 2026 / Gj Sh

Specialja jep detaje për lirimin e Haxhi Shalës

Më 2 shkurt të këtij viti, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës për të mundësuar lirimin e tij me kushtet e përcaktuara në vendimin e saj. Këto kushte do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur nga 3 vitet e dënimit të tij.

Shala u lirua dhe u kthye në Kosovë më 10.02.2026.

Mes të tjerash, Kryetarja Trendafilova mori parasysh se Shala kishte treguar disa shenja rehabilitimi dhe se i kishte dërguar asaj një letër në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij. Ajo mbajti parasysh gjithashtu marrëdhëniet familjare pozitive të Shala, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror, që tregojnë perspektivë të arsyeshme rehabilitimi.

Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, z. Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor.

Procedurat e uljes, modifikimit ose ndryshimit të dënimeve të përcaktuara në nenin 51(2) të Ligjit janë procedura individuale. Kur një person i shpallur fajtor ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo nuk ka të drejtë të vetvetishme që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet, por vetëm plotëson kriteret për shqyrtim të mundësisë së uljes, modifikimit ose ndryshimit të dënimit.