75 Mall Live Search
14:10 / E Martë, 10 Nëntor 2020 / k.v

Specialja miraton kërkesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, videokonferencë për seancën dëgjimore

Gjykata Speciale ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, që paraqitjen fillestare të tij në seancën dëgjimore, ta bëjë përmes videokonferencës.

Këtë e ka thënë për Klankosova.tv, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, ndërsa u shpreh se kjo formë seance është pjesë e Rregullores së procedurës dhe provave.

Sipas saj një kërkesë të tillë fillimisht e parashtron mbrojtësi i klientit, ndërsa më pas gjykatësi e miraton.

”Gjykatësi mund të pranojë një kërkesë për të marrë pjesë në një seancë dëgjimore përmes videokonferencës. Për shembull këtë mëngjes (të hënën), gjyqtari i procedurës paraprake miratoi kërkesën e mbrojtësit të z. Krasniqi për të marrë pjesë në paraqitjen fillestare të z. Krasniqi përmes videokonferencës. Kjo është në përputhje me Ligjin si dhe rregulloren e procedurës dhe provave”.

Kjo përgjigjie e saj erdhi pas interesimit të Klan Kosovës, lidhur me procedurat e seancave gjyqësore, për personat ish-zyrtarë të Republikës së Kosovës, të cilën ngarkohen me akuza nga Prokuroria e Specializuar.

Paraprakisht në një përgjigjie tjetër dhënë kohë më parë, Griep-i ishte shprehur: ”Procedurat e gjykimit janë të njëjta për të gjithë siç rregullohen me Ligjin dhe rregulloren e procedurës dhe provave”.