75 Mall Live Search
10:53 / E Enjte, 20 Shkurt 2025 / k.v

Specialja ngre aktakuzë ndaj Shabanit e Qerimit për spiunazh

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj dy të pandehurve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.

Për dy të pandehurit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri Qerimi edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.

Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e masës së tillë.