75 Mall Live Search
23:41 / E Enjte, 27 Nëntor 2025 / B XH

Specialja nuk e njeh 28 nëntorin, mban seancë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Dhomat e Specializuara të Kosovës po dëshmojnë që nuk kanë asnjë lidhje me Kosovën.

Derisa 28 nëntori në Kosovë është ditë feste si rezultat i Pavarësisë së Shqipërisë, në Hagë pritet të jetë ditë pune.

Kjo gjykatë ka caktuar seancë ndaj Hashim Thaçit për 28 Nëntor, datë që shënon edhe përvjetorin e daljes publike të UÇK-së.

Seanca do të fillojë në ora 9:30, ndërsa pritet të zgjas deri në ora 16:00, e ku pritet të jetë konferencë përgatitore për gjykim, në procesin ku Thaçi akuzohet për pengim të drejtësisë, raporton IndeksOnline.

Përveç tij, akuzohen edhe Fadil Fazliu, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj e Hajredin Kuçi.

Caktimin e seancës për 28 Nëntor e ka kundërshtuar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo Organizata ka shprehur indinjatë dhe zhgënjim të thellë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për të mbajtur konferencën përgatitore ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi pikërisht më 28 Nëntor, ditën e Flamurit dhe një ndër datat më të rëndësishme historike për shqiptarët. /IndeksOnline/