75 Mall Live Search
11:34 / E Martë, 29 Korrik 2025 / LB

SPERTK: Ende s’ka alokim të mjeteve për RTK-në, më 6 gusht fillon protesta

Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të RTK-së (SPERTK) ka konfirmuar se më 6 gusht do të fillojë protesta e tyre, pasi as sot, më 29 korrik, buxheti për gjashtëmujorin e dytë të RTK-së nuk është alokuar, duke e vendosur funksionimin e transmetuesit publik në një rrezik real dhe të paprecedent.

“Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), institucionet përkatëse kanë vazhduar me heshtje dhe neglizhencë, duke lënë punëtorët pa siguri dhe RTK-në në prag të kolapsit total. SPERTK-ja konfirmon se protesta do të fillojë më 6 gusht 2025. Kjo protestë do të jetë fillimi i një serie veprimesh sindikale për të mbrojtur punëtorët dhe ekzistencën e RTK-së si aset publik dhe shtetëror”, thuhet në komunikatën e SPERTK-së.

Tutje është bërë e ditur se pikat konkrete të planit të veprimit, të cilat sindikata do t’i ndjekë me përkushtim në vazhdim do të bëhen të ditura në ditën e protestës.

“SPERTK-ja gjithashtu paralajmëron se do të nisë bojkotimin e mbulimit të ngjarjeve politike, për aq kohë sa transmetuesi publik injorohet dhe lihet pa mjete për funksionim. Për të gjithë akterët institucionalë që kanë ndikuar në krijimin e kësaj gjendjeje, Sindikata do të ndërmarrë veprime ligjore për shkelje të ligjit dhe cenim të së drejtës për pagë dhe punë”, thuhet tutje në komunikatë.

SPERTK-ja i ka bërë thirrja AGK-së dhe BSPK-së, si edhe të gjitha organizatave sindikale dhe të shoqërisë civile, që të bashkohen me të në këtë moment kritik, për të mbrojtur të drejtën e informimit dhe ekzistencën e vetme të mediumit publik në Kosovë.

“U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve të RTK-së që të jenë të bashkuar dhe të përkrahin protestën me pjesëmarrje aktive dhe të përgjegjshme. Vetëm të bashkuar mund të mbrojmë të drejtat tona dhe të sigurojmë të ardhmen e transmetuesit tonë publik. SPERTK – në mbrojtje të RTK-së dhe punëtorëve të saj”, thuhet në komunikatën e SPERTK-së.