75 Mall Live Search
11:16 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / S Z

Spiropali do ta vizitojë Thaçin në Hagë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Hagë të Mbretërisë së Holandës.

Në Hagë, Spiropali do të pritet nga ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, me të cilin do të firmosin një deklaratë të përbashkët për fuqizimin e partneritetit në kontekstin e mbështetjes për integrimin europian të vendit.

Spiropali do të falenderojë ministrin e Jashtëm për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në Parlamentin holandez për çeljen brenda nëntorit të grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Po ashtu, takimi do të fokusohet në mundësi të reja bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimeve akademike.

Ditën e sotme, ministrja do të vizitojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në institucionin e paraburgimit të Gjykatës Speciale.

Ministrja do të mbajë një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Hagës, me studentët dhe akademikët e Programit të studimeve europiane rreth agjendës së angazhimeve që Shqipëria ka ndërmarrë për të garantuar standardet europiane.

Në mjediset e Ambasadës shqiptare, Spiropali do të mirëpritet edhe nga rrjeti i profesionistëve të rinj shqiptarë me banim në Holandë.