75 Mall Live Search
13:59 / E Martë, 16 Dhjetor 2025 / Z S

Spiropali pritet nga presidenti grek: Mbështetje për integrimin e Shqipërisë

Në nisje të vizitës së saj zyrtare në Athinë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u prit mëngjesin e sotëm nga presidenti i Greqisë, Konstantinos Tassoulas.

Gjatë takimit Spiropali theksoi se, “Shqipëria beson fort se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE-së, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane”.

“Ne e shohim zgjerimin si një investim strategjik në stabilitet, mundësi dhe konsolidim demokratik, veçanërisht ndërsa Greqia përgatitet për Presidencën e Këshillit të BE-së në vitin 2027”, tha Spiropali.

Ministrja shtoi gjithashtu se, “marrëdhëniet shqiptaro-greke, të ndërtuara mbi lidhje të forta njerëzore, duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymë të mirë, të lidhura nga interesat tona të përbashkëta strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO dhe perspektiva e përbashkët evropiane”.

Presidenti Tassoulas përgëzoi ministren për investimin në reformat serioze që kanë shtyrë përpara progresin dhe zhvillimin e Shqipërisë, duke e afruar vendin me objektivin strategjik për integrim në BE.

Ministrja Spiropali vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Greqisë, si edhe rolin e Greqisë si partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë./Indeksonline/