Spitali i Gjakovës apel qytetarëve: Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq

Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook u ka apeluar qytetarëve që të respektojnë masat parandaluese ndaj COVIDIT-19.
Në këtë postim ndër të tjera thuhet: “Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotshme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mospërmbajtjes së tri rregullave themelore”.
Ky është postimi i plotë:
Qytetarë të nderuar!
Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mos respektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtare dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike.
Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë, rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritanishme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotshme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtjes së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda.
Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.
NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
JU FALEMNDERIT PËR MIRËKUPTIMIN!