Spitali i Pejës jep detaje mbi vdekjen e një gruaje nga Istogu
Një paciente e plagosur me armë zjarri u pranua sot në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Burime të IndeksOnline më herët pohuan se viktima, L. Maxharraj-Shoshi, ndërroi jetë nga plagët e rënda.
Sipas njoftimit të spitalit, menjëherë pas pranimit, ekipet kujdestare, të mbështetura edhe nga ekipet e gatishmërisë, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme mjekësore dhe reanimuese në përpjekje për t’ia shpëtuar jetën pacientes.
Por, fatkeqësisht nuk kanë arritur ta shpëtojnë atë.
Ky është njoftimi i plotë:
Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton opinionin publik se sot kemi pranuar një paciente e plagosur me armë zjarri, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Menjëherë pas pranimit, ekipet kujdestare, të përkrahura edhe nga ekipet e gatishmërisë, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme mjekësore dhe reanimuese, duke u përpjekur maksimalisht për ti shpëtuar jetën pacientes.
Përkundër angazhimit intensiv dhe profesional të stafit shëndetësor, fatkeqësisht pacientja nuk ka arritur tu mbijetojë plagëve të marra.
Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e së ndjerës.

