Spitali i Pejës jep detaje të reja për gjendjen e dy të plagosurve

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë informacione të reja lidhur me gjendjen shëndetësore të dy personave që u plagosën gjatë të shtënave të ndodhura dje pasdite në afërsi të Qendrës së Paraburgimit në Pejë.
Sipas njoftimit zyrtar, njëri nga pacientët është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa tjetri po trajtohet në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe ndodhet në gjendje stabile, jashtë rrezikut për jetën.
“Të gjithë personat e përfshirë në rast janë trajtuar nga ekipet mjekësore të spitalit, në përputhje me nevojat e tyre shëndetësore,” thuhet në njoftimin e spitalit.
Burimet e IndeksOnline kanë pohuar se personat e plagosur janë Alfred Ukaj dhe Basri Gashi, ndërsa i dyshuari për plagosje është Mahmut Hoxha.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka sekuestruar dy armë të gjata të tipit AK-47, dy revole, 149 fishekë dhe 16 gëzhoja që dyshohet se janë përdorur gjatë incidentit.
Me urdhër të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa njësitet hetimore po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Basri Gashi dyshohet për një vrasje që ndodhi tri vjet më parë, në Klinë.
Mbrëmjen e 22 prillit të vitit 2022, në Vollujakë të Klinës, 23-vjeçari Fazli Hoxha, bashkë me vëllain e tij, Mahmutin u sulmuan me mjete të rënda.
Fatkeqësisht, Fazliu nuk iu mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Pikërisht vdekja e të riut ishte motivi i të shtënave të djeshme, në shenjë hakmarrjeje, pak pasi Gjykata shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurve në rastin e lartpërmendur./IndeksOnline/