75 Mall Live Search
21:15 / E Enjte, 27 Qershor 2024 / L K

Spiuni serb ishte agjent rezident i BIA-s, filmoi fshehurazi KFOR-in e Policinë – U zbulua nga AKI

Siç mëson Dukagjini nga burimet brenda organeve të sigurisë, Aleksandër Vlajiq ishte hiç më pak se agjent rezident i BIA-s, që e spiunonte Kosovën. Për ta sqaruar për publikun kjo nënkupton nivelin më të lartë të një agjenti brenda inteligjencës së një shteti.  

Aleksandër Vlajiq, shtetas serb i Kosovës, nuk është thjesht një i arrestuar për spiunazh në Kosovë.

Veprimtarinë e tij kundër shtetit të Kosovës arriti ta zbulojë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Këto informata bën që veprimtaria e Vlajiq të demaskohet tërësisht.

Këto detaje janë shpalosur ekskluzivisht nga emisioni “Debat Plus”.

Siç mëson Dukagjini nga burimet brenda organeve të sigurisë, ai ishte hiç më pak se agjent rezident i BIA-s, që e spiunonte Kosovën. Për ta sqaruar për publikun, kjo nënkupton nivelin më të lartë të një agjenti brenda inteligjencës së një shteti.

Vlajiq, në mes akteve që ka kryer në Kosovë, gjithashtu ka filmuar fshehurazi lëvizjet dhe automjetet e Policisë së Kosovës, misionit të KFOR-it dhe ndërkombëtarëve, gjithmonë në dobi të shërbimit serb BIA.

Ai në të kaluarën ishte pjesë e MUP-it serb, ndërsa kur ishte integruar në institucionet e Kosovës mbante një post të rëndësishëm në Institucionin e Policisë, duke punuar në njësinë e inteligjencës rajonale të policisë në Mitrovicë të Veriut. Sa mbante këtë pozitë ai ishte angazhuar në mbledhje të informacioneve për personat të cilët kanë qenë predikues të fesë islame.

Vlen të theksohet se informatat që rezultuan me identifikimin dhe kapjen e tij u dhanë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Një ndër aktet dëmtuese për Kosovën që i njëjti e ka bërë është edhe dërgimi tek BIA i emrit të një zyrtari të AKI-së, të cilin e ka mësuar gjatë takimeve zyrtare derisa ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Në bashkëpunim me BIA, Vlajiq ka falsifikuar dokumentacione të ndryshme, me qëllim të diskreditimit të figurave të ndryshme në Policinë e Kosovës.

Vlajiq është bërë shkak që nga informatat e tij te BIA serbe- qytetarët serbë të veriut të bëhen cak i linçimit në rrjete sociale dhe media serbe si tradhtarë.

I njëjti ishte përjashtuar nga radhët e Policisë së Kosovës, por as Policia e Kosovës e as Inspektorati Policor, sot nuk i është përgjigjur Dukagjinit, për periudhën që ai ka shërbyer në këtë institucion dhe mbi çfarë arsyesh ishte përjashtuar atë kohë.

Ratko Gajtanoviq
Ratko Gajtanoviç

Gjatë dorëheqjes masive të ish-zyrtarëve të Policisë së Kosovës e të cilët pastaj kishin nënshkruar kontrata me Qeverinë e Serbisë, Vlajiq ishte bashkuar në radhët e tyre.

Aleksandër Vlajiq ka qenë i punësuar në Policinë e Serbisë edhe në kohën e pushtimit. Ai i ka mbijetuar një bombardimi të NATO-s, më 2 maj 1999, kur ishte goditur ndërtesa e MUP-it okupator serb në Mitrovicë.

Saktësisht, me emër dhe mbiemër, Vlajiq i raportonte Ratko Gajtanoviçit.

Aktualisht ai mban pozitën e shefit të qendrës së BIA-s në Novi Pazar. Ka të dhëna se edhe personalisht ka qenë i pranishëm në Kosovë. Një ndër rastet, është kur kishte hyrë ilegalisht në Kosovë, me rastin e vizitës së Aleksandër Vuçiqit në Kosovë, më 8 dhe 9 maj 2018.