75 Mall Live Search
20:37 / E Premte, 06 Mars 2020 / indeksADMonline

Sqarohet rruga e Kosovës drejt Botërorit 2022, ja si ndikon Liga e Kombeve

Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, ka sqaruar se Kombëtarja kosovare do ta ketë më të vështirë kualifikimin në Kupën e Botës 2022 përmes Ligës së Kampionëve sesa që e ka pasur edicionin e kaluar për Kampionatin Evropian 2020.

Edicioni i kaluar, dhe njëkohësisht inaugurues, i Ligës së Kombeve të UEFA-s ia dha Kosovës një mundësi të dytë për ta zënë një vend në Kampionatin Evropian 2020, si fituese e Grupit 3 të Ligës D.

Tani Dardanët janë vetëm dy fitore larg kualifikimit në EURO 2020. Djemtë e Bernard Challandes duhet të marrin fitore në ndeshjen gjysmëfinale të play-offs kundër Maqedonisë së Veriut më 26 mars, ndërsa pastaj, nëse e fitojë ndeshjen e parë, do ta vizitojnë ose Gjeorgjinë ose Bjellorusinë në finalen e madhe.

Në anën tjetër, të martën në Amsterdam, Kosova i mësoi kundërshtarët për edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Shorti i ra që në Grupin 3 të Ligës C, Kosova të përballet me Greqinë, Slloveninë dhe Moldavinë.

Përderisa edicioni i kaluar i Ligës së Kombeve ishte një mundësi e mirë për kualifikim në Evropian, edicioni i ri 2020/21 jep mundësi për kualifikim në Kupën e Botës.

“Ky sistem dallon prej sistemit të garave më herët. Është më e vështirë, duke pasur parasysh që numri i Kombëtareve që kualifikohen për Botëror nga Evropa është më i vogël, përderisa për Kampionat Evropian e kemi pasur një mundësi më të mirë”, ka thënë Bunjaki në emisionin sportiv “Favorit” në T7, shkruan Express.

“Mirëpo, sido që të jetë, prapëseprapë janë dy mundësi për kualifikim në Botëror. Fillimisht përmes rrugës tradicionale [grupeve kualifikuese], pastaj e kemi edhe Ligën e Kombeve, që është një mundësi e dytë, por pak më e vështirë”.

“Nuk mjafton vetëm ta fitojmë grupin në Ligën e Kombeve për të shkuar në play-offs”.

Nga Liga e Kombeve do të fitojë vetëm dy ekipe kombëtare vend në play-offs për kualifikim në Kupën e Botës 2022, që do të thotë se Kosova duhet të radhitet në mesin e dy vendeve më të mirë në të gjithë Ligën e Kombeve, nga ato që s’e kanë arritur kualifikimin në Botëror apo një vend në play-offs përmes rrugës tradicionale.