75 Mall Live Search
09:58 / E Mërkurë, 07 Janar 2026 / MSH1

Stabilizohet Malisheva, Kastrati: Po identifikojmë dëmet nga vërshimet

Pas një dite të vështirë me përmbytje, Komuna e Malishevës ka filluar rikupërimin.

Kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati, ka deklaruar për IndeksOnline se të gjitha ekipet janë në terren dhe po u ofrojnë qytetarëve ndihmën e nevojshme.

“Sot është situatë më e qetë, më stabile. Ka rënë niveli i ujërave dhe kanë pushuar reshjet që ishin me intensitet të lartë. Tani për tani, nuk kemi reshje fare. Ka nisur të stabilizohet gjendja dhe ne jemi duke i identifikuar dëmet që janë shkaktuar nga reshjet”, tha Kastrati.

Ai shtoi se shtabi emergjent ka qenë në dispozicion gjatë gjithë natës, por që fatmirësisht nuk kanë pranuar thirrje për evakuim.

“Gjatë natës kemi pasur në dispozicion kujdestarinë, pasi kemi themeluar shtabin emergjent. Gjatë gjithë natës kanë qenë kujdestarë për kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Mbrëmë nuk kemi shënuar ndonjë thirrje apo ndonjë kërkesë për evakuim a ndihmë tjetër, pasi niveli i ujërave ka filluar të ulët tashmë”, deklaroi Kastrati.

Pas shpalljes së djeshme të situatës së jashtëzakonshme dhe, duke vlerësuar situatën aktuale, Kastrati pohon se Malisheva tashmë është kthyer në gjendje stabile.

“Tashmë po shihen edhe të dhënat meteorologjike që reshjet kanë me u shu. Sigurisht që tani ne kalojmë në situatë dhe rrjedha normale të aktiviteteve tona. Të shohim se si do të shkojë tani situata, me përmirësimin e dëmeve”, përfundoi Kastrati.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, shumë qytete të vendit u përballen me përmbytje masive, pas reshjeve madhore të shiut gjithandej Kosovës./IndeksOnline/