75 Mall Live Search
12:46 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

Stadiumi i Pejës në gjendje të mjerueshme, kompania morri 700 mijë euro por është afër falimentimit

Një ndër skuadrat më të suksesshme në futbollin kosovar është Besa. Aktualisht pejanët garojnë në Ligën e Parë, por janë shumë afër që të sigurojnë rikthimin në Superligë.

Ndeshjet e saj në shtëpi, Besa i luan në stadiumin Shahin Haxhiislami.

Në shtator të vitit 2016 kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri së bashku me deputetin e LDK-së, Kujtim Shala kishin vënë gurthemelin për nisjen e punimeve në renovimin e këtij stadiumi. Megjithatë punimet ka gati një vit që janë ndalur.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj ka thënë për Indeksonline që kompania e cila ka qenë e kontraktuar për këtë projekt, është afër falimentimit.

“Kompania që e ka fituar tenderin ka probleme sepse i kanë ikur punëtorët dhe është afër falimentimit. Kryetari është duke kërku nga Ministria që të gjejë një mënyrë që të mos lejohet kompania të falimentoj. Ajo ka marrë 700 mijë euro por ka kryer punë për 450 mijë euro. Shpresoj që të gjendet mundësia që të vazhdojnë punimet por për momentin nuk kemi shumë shpresë dhe jemi në udhëkryq” deklaroi Zefaj për Indeksonline.

Kompania që kishte marrë tenderin për të renovuar stadiumin “Shahin Haxhiislami”, deri tani ka punuar në renovimin e tribunave lindore, por pjesa perëndimore ka mbetur ende në themel. /Indeksonline/