75 Mall Live Search
00:32 / E Mërkurë, 12 Tetor 2022 / Gj. Sh

Stadiumi Nacional: Ministri i Sportit pyet nëse është më mirë rregullimi i stadiumeve aktuale apo ndërtimi i një të riu 100 milionesh

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur sonte në emisionin “Pressing” në T7 edhe rreth stadiumit nacional.

Ai tha se nuk e di nëse Kosova ka vërtetë nevojë për ndërtimin e një stadiumi të tillë, pasi që sipas tij, ka edhe kosto të lartë.

Përveç kostos, Çeku tha se edhe më mirë është që fillimisht të bëhen intervenimet në stadiumet tjera të futbollit.

“Unë nuk vendosi për çështje kaq të mëdha. Mua më vyen një vizion i caktuam se a kemi nevojë për një stadium nacional. Këtë përgjigje nuk po e marrë. Ne sot kemi telashe me infrastrukturën ekzistuese në futboll. ‘Fadil Vokrri” ka nevojë për t’u rritur si kapacitet. Gjilani ka nevojë me u përfundu sepse bëhet i dyti me kategorinë katër. ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë ka ngecje, duhet të vazhdohet për t’u përfunduar. Peja ka nevojë për rinovim total. Gjakova është duke lëvizë, por kemi nevojë me e dinamizu”, tha fillimisht i pari i MKRS-së.

“Pra, ta kryejmë njëherë këtë. T’i bëjmë të gjitha qytetet me stadiume të kategorive dy, tre ose katër. Pastaj të flasim a ka nevojë dhe nëse ka nevojë me u bo (stadiumi nacional), a ka mundësi financiare Kosova me e ndërtu një stadium nacional. Nëse një stadium nacional kushton 100 milionë euro, mandej veç mirëmbajtja vjetore e atij stadiumi kushton disa miliona euro. Duhet ta bëjmë këtë pyetje. Këtë buxhet a e fusim vetëm në një stadium apo me të kryejmë të tjerat, prej tenisit, ping-pongut, volejbollit etj”, shtoi Çeku.