18:56 / E Hënë, 06 Prill 2020 / indeksADMonline

Stafi i Urgjencës në Prishtinë në vetizolim, drejtori i Shëndetësisë thotë se kjo u bë për siguri

13 punëtorë të Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë janë dërguar në vetizolim, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Vendimi erdhi pasi një pacient ndërroi jetë si pasojë e Covid19, dhe të njëjtin, punëtorët e QMU-së e kishin vizituar disa herë para se të shtrihej në Klinikën Infektive.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, thotë se janë mirë të organizuar me stafin e mbetur në Urgjencë, për të vazhduar punën pavarësisht mungesës së kolegëve që tashmë janë në vetizolim.

59-vjeçari që ndërroi jetë nga koronavirusi kishte jetuar i vetëm në lagjen “Ulpiana” të kryeqytetit.

Punëtorët e Qendrës së Mjekësisë Urgjente e kishin vizituar disa herë dhe kishin pasur kontakt me të meqë është dashur ndonjëherë ta ndihmojnë fizikisht në lëvizje.

Pas konfirmimit se i njëjti ka ndërruar jetë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka rekomanduar që punëtorët shëndetësorë të cilët kanë pasur kontakt me të, të dërgohen në vetizolim.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë për KosovaPress, se ky vendim në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë është marrë për shkaqe sigurie.

“Dje është kuptuar që njëri prej pacientëve, të cilin e kanë vizituar punëtorët e Urgjencës së qytetit, është konfirmuar me Covid-19, dhe i njëjti ka vdekur. Në momentin që e kemi marrë informatën që bëhet fjalë për pacientin me të cilin janë marrë ekipet e urgjencës, në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë është marrë ky vendim për çështje sigurie”, ka thënë Gashi, në një përgjigje përmes telefonit.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht qendr a nuk ka mungesë të stafit mjekësor, pasi që është bërë riorganizimi i tyre.

“Arrijmë të funksionojmë normalisht me kapacitetet që i kemi pasur, me katër ekipe në terren, normalisht me një ngushtim të punës ose një shtim të orarit të një pjesë të punëtorëve shëndetësorë, mirëpo arrijmë t’i mbulojmë me këtë kapacitet që kemi, nëse eventualisht në të ardhmen nuk ndodh edhe ndonjë shkurtim tjetër i numrit të punëtorëve”, tha Gashi.

Sa i përket gjendjes në luftimin e përhapjes së Covid-19, Gashi thotë se situata në kujdesin parësor shëndetësor është nën menaxhim.

Gashi: Presim furnizime të tjera nga Ministria e Shëndetësisë me masa mbrojtëse për Covid-19

(Audio)

“Masat mbrojtëse, kapacitetet e masave mbrojtëse për punëtorë shëndetësorë për kujdesin pa rësor shëndetësor janë të kënaqshme deri në momentin sa po flasim. Nuk kemi mungesa sa i përket mjeteve themelore bazike, dhe masave mbrojtëse specifike, kështu që presim edhe në vazhdim të kemi furnizime të tjera nga Ministria e Shëndetësisë, nga furnizimet tona vetanake”, tha Gashi.

Kosova ka hyrë në javën e katër të përballjes me Covid-19. Deri tani janë konfirmuar 145 raste, prej tyre 23 të shëruar dhe tre të vdekur, ndërsa 22 prej të infektuarve janë nga Prishtina.