Stamboll: Afro 500 mijë njerëz protestojnë në mbështetje të Palestinës
Rreth 500 mijë njerëz filluan të mblidheshin në ditën e parë të vitit të ri, në Urën e Galatës në Stamboll për një marshim në mbështetje të Palestinës.
Duke shënuar mëngjesin e hershëm të ditës së parë të vitit, protestuesit u mblodhën me pjesëmarrjen e rreth 400 organizatave të shoqërisë civile nën sloganin “Nuk trembemi, nuk do të heshtim, nuk do ta harrojmë Palestinën”, duke kërkuar fundin e gjenocidit në Palestinë.

Përpara ngjarjes, qytetarët u mblodhën para namazit të sabahut në disa xhami të mëdha në Stamboll, përfshirë Xhaminë e Madhe të Aja Sofisë, Sultanahmetin, Fatihun, Sulejmanijen dhe Xhaminë e Re Eminonu.
Shumë pjesëmarrës u panë duke mbajtur flamuj turq dhe palestinezë ndërsa mblidheshin në oborret e xhamive për të treguar solidaritet me Palestinën.
Pavarësisht motit të ftohtë, pjesëmarrja ishte e lartë. Masa të gjera sigurie u vendosën, veçanërisht në sheshin “Sultanahmet”, ku pjesëmarrësve iu ofruan edhe pije të nxehta.

Pas namazit të sabahut, protestuesit u nisën në këmbë drejt Urës së Galatës, të shoqëruar nga disa ministra, zyrtarë të lartë dhe figura të listuara në protokollin zyrtar.
Ngjarja filloi në orën 8:30 të mëngjesit sipas orës lokale në Urën e Gallatës.

Një banderolë e madhe që përshkruante “Hanzala”, figura ikonike e krijuar nga karikaturisti i ndjerë palestinez Naji al-Ali dhe e lidhur ngushtë me kauzën palestineze, ishte varur në një ndërtesë pas platformës kryesore të shtypit.
Programi përfshinte performanca të veprave nga artistë dhe muzikantë të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë këngëtarin libanezo-suedez Maher Zain, artistin turk Esat Kabakli dhe grupin “Yuruyus”.


