75 Mall Live Search
09:47 / E Mërkurë, 04 Shkurt 2026 / MSH1

Starmer apelon për sulmet ruse në sektorin energjetik të Ukrainës

“Sulmet e Rusisë ndaj sektorit energjetik të Ukrainës të hënën në mbrëmje, ndërsa temperaturat ranë në -20 gradë Celsius (-4 gradë Fahrenhet) – ishin barbare dhe veçanërisht të degjeneruara”.

Kështu deklaroi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, sir Keir Starmer.

Ai i bëri komentet pasi foli me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, disa orë pasi Rusia goditi termocentralet dhe infrastrukturën kritike në Kiev dhe disa zona përreth, shkruan BBC-i, transmeton IndeksOnline.

Sulmet erdhën në fund të një pauze njëjavore që Trumpi i kishte kërkuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Trump tha të martën se Putini e kishte “mbajtur fjalën” dhe se do të donte që ai t’i jepte fund luftës.

Dëmi nga sulmet ishte i gjerë, me më shumë se një mijë pallate në Kiev pa ngrohje dhe një termocentral në qytetin lindor të Kharkivit që nuk po riparohet dot.

Banorët u detyruan ta kalonin natën të strehuar në stacionet e metrosë, ndërsa disa ngritën tenda në platforma për t’u mbrojtur nga i ftohti acarues.

Autoritetet kanë ngritur qendra përreth Kievit, ku banorët e qytetit mund të shkojnë për t’u ngrohur.

Ata gjithashtu po importojnë më shumë gjeneratorë për t’u përballuar me periudhat më të gjata të ndërprerjeve të energjisë, ndërsa inxhinierët përpiqen të riparojnë dëmet.