75 Mall Live Search
08:54 / E Enjte, 14 Gusht 2025 / MSH

Starmer do të takohet me Zelenskyn në Londër, në prag të takimit Trump-Putin

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do ta mirëpresë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mëngjesin e së enjtes në Downing Street. Takimi vjen në një kohë kur Evropa po përgatitet për rezultatet e takimit të presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, të premten.

Takimi i kryeministrit britanik me Zelenskyn vjen pasi ai tha se Britania është e gatshme ta “rrisë trysninë” ndaj Rusisë, nëse është e nevojshme.

Ndërkohë, Trumpi e ka kërcënuar Rusinë me “pasoja të rënda” nëse Putini nuk e pranon armëpushimin.

Gjatë një telefonate të mërkurën me presidentin amerikan dhe aleatët evropianë, Starmer e lavdëroi Trumpin për punën e tij për të krijuar një mundësi “të arritshme” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Megjithatë, evropianët janë të shqetësuar nga përjashtimi i Zelenskyt nga takimi mes Trumpit dhe Putinit, i cili do të zhvillohet në Alaska të premten.

Duke folur të mërkurën, Starmer tha: “Ky takim të premten, ku presidenti Trump do të marrë pjesë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

“Siç i kam thënë personalisht presidentit Trump për tre vjet e ca sa ka zgjatur ky konflikt, nuk kemi qenë as afër një mundësie për një zgjidhje të qëndrueshme, për ta sjellë një armëpushim. Dhe, tani e kemi atë mundësi, falë punës që presidenti ka bërë”, tha ai.

Starmer dhe udhëheqësit evropianë kanë thënë vazhdimisht se bisedimet për Ukrainën nuk duhet të ndodhin pa vetë Ukrainën, mes shqetësimeve se Kievi po lihet mënjanë në bisedimet për të ardhmen e vendit.

I pyetur nëse ishte vendimi i tij që të mos ftonte Zelenskyn në takim, Trump tha: “Jo, përkundrazi” dhe shtoi se një takim i dytë me presidentin ukrainas mund të mbahet më pas.

“Patëm një telefonatë shumë të mirë, ai ishte në telefonatë, presidenti Zelensky ishte aty. Do t’i jepja notën 10, [ishte] shumë, shumë miqësore”, u tha ai gazetarëve në Uashington.

Ai shtoi: “Ka shumë mundësi që të kemi një takim të dytë, i cili do të jetë më frytdhënës se i pari, sepse i pari është për të kuptuar se ku jemi dhe çfarë po bëjmë”.

Presidenti amerikan ka lënë të kuptohet më parë se armëpushimi mund të përfshijë një “shkëmbim” territoresh.

Mendohet se një nga kërkesat e udhëheqësit rus është që Ukraina t’i dorëzojë pjesë të rajonit Donbas që ende kontrollon.

Por, Zelensky e ka hedhur poshtë çdo propozim që do të komprometonte integritetin territorial të Ukrainës, diçka që ndalohet nga kushtetuta e vendit./REL/