20:14 / E Enjte, 17 Tetor 2019 / indeksADMonline

Statistikat e Kombëtares së Kosovës që nga pranimi në FIFA dhe UEFA

Kosova u pranua zyrtarisht në UEFA më 3 maj të vitit 2016 dhe pas 10 ditësh edhe në FIFA.

Që nga atëherë, Kosova ka zhvilluar 29 ndeshje, përfshirë edhe ato miqësore. “Dardanët” kanë regjistruar 13 fitore, 10 humbje dhe 6 barazime, shkruan Indeksonline.

15 ndeshje pa humbje që patëm para se të mposhteshim nga Anglia, në fakt nuk erdhën aty pa dështime dhe peripeci për Kosovën.

Pas pranimit në instancat ndërkombëtare të futbollit, UEFA dhe FIFA, Kosova mposhti në miqësore Ishujt Faroe në Frankfurt të Gjermanisë me rezultat 2:0. Pas këtij triumfi, “Dardanët” nuk e panë me sy fitoren për 10 ndeshje duke regjistruar 9 humbje dhe një barazim.

Dhe menjëherë pas kësaj forme të dobët erdhi seria e 15 ndeshjeve pa humbje, prej të cilave 10 fitore dhe 5 barazime, për t’u ndalur nga Anglia me një paraqitje të mrekullueshme që zuri titujt kryesor të mediave më të mëdha të huaja.

Pas humbjes ndaj Anglisë, Kosova mposhti Gjibraltarin 1:0 në miqësore dhe Malin e Zi me rezultat 2:0 në kuadër të fazës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Gjatë gjithë këtyre 29 ndeshjeve, Kosova ka shënuar 44 gola ndërsa ka pranuar 42, duke regjistruar një goldallim prej vetëm plus dy gola.

Humbja më e thellë e Kosovës që nga pranimi në FIFA dhe UEFA është ajo ndaj Kroacisë 0:6 që u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Fitorja më e thellë e Kosovës është ajo ndaj Maltës në kuadër të Ligës së Kombeve, 0:5.

Kosova për momentin gjendet në vendin e tretë, një pikë larg Çekisë e vendit të dytë, pozitë kjo që dërgon në Kampionatin Evropian. Edhe nëse dështon këtu, “Dardanët” do ta kenë edhe një mundësi tjetër, përmes Ligës së Kombeve./Indeksonline/