Statovci: Kosova e rrethuar me një shtet pro-rus, në këtë vit ta ruajm vetëm paqen e sigurinë!

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka komentuar rezultatin e sondazhit të IPSOS, sipas të cilit vetëm 35% e serbëve janë pro integrimeve evropiane, teksa 44% janë kundër.
Ajo tha se nga kjo i bie që Kosova të jetë e kufizuar me një shtet anti-evropë, e të orientuar përherë e më fuqishëm kah Rusia.
Statovci theksoi se në vitin 2022 duhet të jemi shumë më vigjilentë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe rrugës së demokratizimit.
Postimi:
Serbia shpërfaqë edhe më fuqishëm vetëveten e saj. Për herë të parë në dy dekada, qytetarët serbë janë më shumë kundër integrimeve në BE, se pro.
Edhe pse tashmë e njohur për ne, këtë e bëri të ditur sondazhi i IPSOS sipas të cilit vetëm 35% e serbëve janë pro integrimeve evropiane, teksa 44% janë kundër.
Mund të themi se integrimet e Ballkanit perëndimor në familjen politike të BE-së, kanë pësuar dëmtim serioz pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Një zhvillim i tillë nuk është në favor të demokratizimit të rajonit tonë, madje përkundrazi. Nga kjo i bie që Kosova të jetë e kufizuar me një shtet anti-evropë, e të orientuar përherë e më fuqishëm kah Rusia.
Duket se viti 2022, do të na bëjë të jemi shumë më vigjilentë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe rrugës së demokratizimit, përderisa shteti ynë është në linjë me politikat e shteteve evropiane e demokratike.
