19:29 / E Martë, 27 Shtator 2022 / Andronika

Statovci: KOSTT që nga viti 2008 ka kryer investime kapitale me vlerë rreth 255 milion euro

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e VV-së, Jeta Statovci, ka bërë të ditur se kompania e energjisë, KOSTT, që nga viti 2008 ka kryer investime kapitale me vlerë rreth 255 milion euro, mirëpo prokurimi në KOSTT deri më sot nuk është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Statovci tregon se ditën e sotme, me kërkesë për auditim, kishin prezent përfaqësuesit e KOSTT dhe ZKA në raportim për tri raportet e auditimit të kërkuara për periudhën 2015-2021.

Ata i kishin listuar rreth 10 të gjetura edhe i kishin dorëzuar në prokurori, ku bëhej fjalë për mos realizimin e projekteve nga KOSTT, devijime financiare, mbi 12 kontrata të rikthyera në rivlerësime,  ndarje të tenderëve në kontrata me vlerë minimale e shumë shkelje të tjera./IndeksOnline/

Postimi i plotë:

Që nga viti 2008 KOSTT-i ka kryer investime kapitale me vlerë rreth 255 milion euro, mirpo prokurimi në KOSTT deri më sot nuk është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Sot, me kërkesë tonen për auditim, kishim prezent perfaqësuesit e KOSTT dhe ZKA në raportim për tri raportet e auditimit të kërkuara për periudhën 2015-2021.

–       KOSTT-i nuk kishte realizuar projektet sipas prioriteteve të caktuara, dhe aprovuara nga rregullatori;

–       Devijime financiare mbi projektet e aprovuara nga ZRRE dhe ato të realizuarat;

–       Mbi 12 kontrata të rikthyera në rivlerësime te procedurave, anulime jo të nevojshme të procedurave të prokurimit, kufizim të konkurrencës dhe aneks kontrata për punë shtesë me procedura të negociuara;

–     Ofertuesit më të lirë diskualifikohen nga gara për kritere që nuk janë relevante, siç ishte rasti me dy ofertuesit që ishin diskualifikuar për mungesë të përvojës në projekte energjetike ndërsa kërkohej të ndërtohej një muri mbrojtës;

–     Sipas të dhënave të ofruara nga departamenti i burimeve njerëzore në KOSTT për vitet 2017-2021, numri i zyrtarëve të promovuar/avancuar që ushtrojnë pozita drejtuese pa procedura konkurruese ishte 23.

–      Inicimi i aktivitetit të prokurimit pa dosje të tenderit

–      Mungesë e kopjeve fizike të ofertës së dorëzuar

–      I njëjti operator ekonomik ka dizajnuar projektet dhe i ka realizuar ato, e cila paraqet konflikt të interesit dhe shkelje të ligjit të prokurimit, vlera e këtyre kontratave mbi 10 milion euro;

–      Ndarja e tenderëve në kontrata me vlerë minimale, e cila shton rrezikun që të kufizohet konkurrenca e mirëfilltë, lidhja e kontratave për projekte pa aprovim nga ZRRE-ja;

–    Viti 2016 nuk ishte mbuluar fare me inspektime nga Inspektorati i Energjisë;

Raportet e realizuara me të gjeturat e indentifiuara janë dorëzuar në prokurori.