15:39 / E Premte, 26 Janar 2024 / L K

Statovci pjesë e panelit për sektorin e prodhimit: Privatizimi kaotik, ktheu fabrikat në depo

Deputetja e Partisë Guxo, Jeta Statovci ka qenë pjesë e panelit në diskutimin mbi sektorin e prodhimit në Kosovë.

Deputetja e pushtetit ka treguar punën e qeverisë në këtë aspekt dhe qëllimet e të ardhmës në rritjen e eksportit në vend.

“Isha pjesë e panelit për të diskutuar mbi “Sektori i Prodhimit – Si mund të rritim eksportet përmes konkurrencës së përmirësuar”.

Çfarë zbuluam? Politika industriale është thelbësore për të shtyrë përpara ekonominë tonë – në punësim dhe sidomos në eksport.

Në Kosovë, sfidat e sektorit industrial nga privatizimi kaotik kanë lënë gjurmë të thella. Ktheu shumë fabrika në depo, duke lënë hendek të madh në punësim dhe produktivitet ekonomik në vend.

Qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishme – Fondi Kosovar për Garanci Kreditore prej 22.6 milionë euro ka garantuar kredi për 638 biznese, ku 12% prej tyre drejtohen nga gra.

Po ashtu, janë zbatuar subvencione për kredi investuese dhe mbështetje të tjera që kanë ndihmuar 218 biznese. Jo vetëm kaq, por edhe mbështetje për eksportet, trajnime, promovime dhe programe të punësimit si “super puna” dhe shkolla profesionale.

Diskutuam edhe për bazën ligjore për parqet industriale dhe teknologjike, investimet e qëndrueshme, dhe fondin sovran.

Sektoret kryesore që po shohim me potencial janë: përpunimi i ushqimit, përpunimi i pijeve, tekstili, mobiljet/druri dhe plastika.

Qëllimi? Jo vetëm të rrisim punësimin dhe efikasitetin, por edhe të ecim drejt një industrie më eko-miqësore dhe inovative” shkruan Statovci në njoftim.