Statovci: Vendimi për ndalimin e dinarit nuk e ka qëllim penalizmin

Deputetja e partisë “Guxo”, e cila funksionin në kuadër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Jeta Statovci ka folur për kërkesat e Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian që të shtyhet zbatimi i vendimit për dinarin serb.
Ajo në një intervistë për “Info Plus” të RTK-së tha se çështja e valutës e ka bazën kushtetuese që mundëson transparencë e nuk shënjestron grupe të caktuara të shoqërisë.
“BQK është organ kushtetues dhe që nënkupton se e ka pavarësinë e saj në rregullat dhe vendimet e saj në raport me kompetencat e saj. Duke parë këto kompetenca, të cilat kanë bazën e saj qoftë në Kushtetutën e Kosovës, qoftë edhe në legjislacionin bazë të BQK-së është vepruar që të mos penalizohet ndonjë aktivitet, por të rregullohet aktiviteti i saj. Qoftë si Qeveri apo Kuvend, kompetencat e ndikimit në vendimmarrje janë absolutisht të limituara për shkak të pavarësisë që gëzon BQK-ja”, ka theksuar Statovci.
Sipas saj, shtrirja e një realiteti funksional si dhe parandalimi i elementeve të tilla që janë shqetësuese, si shpëlarja e parave, financimi i dukurive negative dhe terrorizmit, por edhe ruajtja e integritetit financiar do të duhej t’i gëzonte të gjithë përfshirë edhe aleatët.
“Pra, kjo ka të bëjë vetëm me shtrirjen e ligjshmërisë dhe forcimin e demokracisë në shoqëri”, ka theksuar Statovci.
E pyetur për shqetësimet e shprehura nga ana e Serbisë lidhur me ndalimin e dinarit dhe që e sheh Kosovën si përgjegjëse nëse do të ketë shpërngulje të serbëve nga vendi, Statovci është shprehur: “Nuk është çudi nëse Serbia do të tentojë të shantazhojë me këtë punë. Ajo do të tentojë të shantazhojë me elementin e sigurisë në raport me Kosovën. E këtë shantazh e përdor ndaj BE-së dhe SHBA-së, të cilat tentojnë të kenë një situatë sa më stabile dhe të paqes. Por, ne e dimë se Kosova ka qenë faktor që i ka kontribuuar gjithmonë paqes”, ka shtuar Statovci.
Lidhur me mundësinë zgjedhjeve të parakohshme në vend ajo tha se Kosova edhe ashtu ka hyrë tashmë në vit të rregullt zgjedhor.