08:05 / E Hënë, 05 Dhjetor 2022 / MSH

Sterling fluturon drejt Anglisë, grabitje me armë në shtëpinë e tij

Raheem Sterling humbi ndeshjen e djeshme kundër Senegalit për shkak të një emergjence familjare.

Sulmuesi i Chelseat, pasi kishte marrë dritën jeshile nga trajneri Southgate, u largua nga kampi stërvitor për t’u kthyer në Angli dhe për të qëndruar pranë gruas dhe tre fëmijëve të tij pasi mori lajmin për një grabitje me armë nga disa persona në shtëpinë e tij.

“Prioriteti i tij është të jetë me familjen, ne do ta mbështesim dhe do t’i japim të gjithë kohën që i nevojitet. Ndonjëherë futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme, familja është e para”, tha Southgate.

Nuk dihet ende nëse Sterling do të kthehet në kohë për të luajtur çerekfinalen kundër Francës të shtunën më 10 dhjetor.

“Vërtet nuk e di sepse për momentin është një situatë që ai duhet të jetë me familjen e tij. Nuk dua ta vë nën presion me këtë. Ndonjëherë futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme dhe familja duhet të jetë e para” shtoi Southgate.