14:15 / E Diele, 30 Janar 2022 / MSH

Stoltenberg: NATO nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e bëri të qartë këtë të diel se organizata ushtarake që ai drejton nuk ka asnjë plan për të ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainë, pavarësisht paralajmërimeve për një pushtim të vendit nga Rusia.

Megjithatë, Stoltenberg bëri të ditur se aleanca po furnizon dhe do të ndihmojë në gjithçka Ukrainën, për të rritur aftësinë e saj mbrojtëse.

“Nuk kemi asnjë plan të dislokojmë trupat ushtarake të NATO-s në Ukrainë. Aleatët e NATO-s kanë trajnuesit atje, ne i ndihmojmë nga NATO me kapacitetet tona, për të modernizuar mbrojtjen e tyre përfshirë edhe mbrojtjen kibernetike. Aleatët e NATO-s po ashtu sigurojnë pajime, armë mbrojtëse, siç ka siguruar deri tani Britania e Madhe, si për shembull me armë anti-tank”, tha Stoltenberg.

“Ndaj, ne bëjmë shumë për të ndihmuar Ukrainën për të rritur aftësinë e saj, atë mbrojtëse, por Ukraina nuk është aleat i NATO-s, gjë që do të siguronte një garanci sigurie 100% në rast të një sulmi, që për secilin shtet anëtar të Aleancës, do të përkthehej pa diskutim në një reagim të menjëhershëm”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se aleanca mbetet e shqetësuar për situatën e furnizimit me energji të Europës, duke qenë se rajoni ka treguar se është i varur nga Rusia për furnizimin me gaz.

“Kjo është arsyeja përse u dakordësuam se duhet të punojmë dhe të fokusohemi në diversifikimin e furnizimit. Po ashtu po shqyrtojmë informacionet e agjencive ndërkombëtare të energjisë sipas së cilave, Rusia ka manipuluar tregjet europiane të gazit, duke tërhequr furnizimet prej saj”.

Nga ana tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, tha se zgjidhja duhet të vije vetëm përmes diplomacisë, për të cileë nga Rusia nuk po sheh asnjë sinjal.

“Ne mendojmë se ka shumë mundësi që Vladimir Putin të kërkojë të pushtojë Ukrainën. Kjo është arsyeja përse ne po bëjmë gjithçka është e mundur që ta parandalojmë këtë dhe përmes diplomacisë ta bindim të heqë dorë”.