75 Mall Live Search
16:52 / E Martë, 21 Qershor 2022 / Gj. Sh

Strakosha zë vend në formacionin e gazetës Franceze

Thomas Strakosha është një nga lojtarët pa kontratë dhe i lirë për të zgjedhur të ardhmen e tij në sezonin e ri futbollistik teksa gardiani i kombëtares mbylli pas disa vitesh aventurën në Itali tek Lazio.

Tashmë, 27-vjeçari po merr kohë dhe po shqyrton ofertat të cilat nuk i mungojnë sidomos ato nga Premier League, një kampionat i cili e tërheq shumë Strakoshën që e konsideron Anglinë si një mundësi të artë për karrierën.

Megjithatë, për sa kohë nuk ka ende asgjë konkrete, Strakosha konsiderohet një futbollist i lirë dhe si i tillë është përfshirë nga L’Equipe në 11-tëshen e futbollistëve pa kontratë. Së bashku me portierin shqiptar në formacionin e prestigjiozes franceze janë përfshirë edhe emra tejet të njohur si Pogba, Dybala, Dembele apo Marcelo.

Një reklamë për Strakoshën duke njohur reputacionin e L’Equipe në shtypin europian ndërsa tashmë agjentit të shqiptarit ndoshta mund t’i shkojnë edhe disa thirrje më shumë në telefon.