75 Mall Live Search
21:06 / E Diele, 07 Shtator 2025 / MSH

Strehimi i azilkërkuesve/ Britania shqyrton përdorimin e kazermave

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka deklaruar se qeveria britanike po shqyrton përdorimin e kazermave ushtarake për të strehuar përkohësisht azilkërkuesit, pasi 1,097 persona mbërritën të shtunën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla.

“Po shqyrtojmë mundësinë e përdorimit të zonave ushtarake dhe joushtarake për akomodim të përkohshëm për personat që mbërrijnë me varka të vogla dhe që mund të mos kenë të drejtë të qëndrojnë këtu,” tha Healey për Sky News.

“Jam duke e analizuar me kujdes këtë çështje, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, dhe e pranoj që humbja e besimit të publikut gjatë viteve të fundit në aftësinë e Britanisë për të kontrolluar kufijtë duhet të adresohet. Duhet të përballemi me këtë problem të varkave të vogla,” shtoi ai.

Ky propozim vjen pas protestave të shumta gjatë verës kundër strehimit të migrantëve nëpër hotele.

Aktualisht, dy ish-baza ushtarake, MDP Wethersfield, një ish-bazë e RAF në Essex, dhe Napier Barracks, një ish-kazermë në Kent, po përdoren për strehimin e një numri të kufizuar azilkërkuesish.