12:51 / E Mërkurë, 22 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Studentët asnjëherë të kënaqur, kërkojnë shkarkimin e rektorit të UP-së

Organizata “Demokracia Studentore” ka kërkuar shkarkimin e trupit gjykues së Gjykatës së Apelit pasi që vendosi pro Kishës Ortodokse serbe, si dhe rrëzimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj për neglizhencën që ka treguar ndaj pronës së kampusit universitar.

Kryetari i Demokracisë Studentore, Mexhid Ramusa, tha ata e kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me Kishën Ortodokse në hapësirat e kampusit universitar, pasi ajo është ndërtuar me dhunë nga ish-regjimi serb.

Ai tha se kërkojnë nga presidenti Hashim Thaçi  shkarkimin e trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, e cila vendosi kundër UP-së dhe studentëve të saj lidhur me pronën e Kishës Ortodokse serbe.

“Gjykata e Apelit me këtë vendim e bënë të ligjshme dhunën dhe të gjitha krimet që ka kryer Serbia në Kosovë. Ky objekt simbolizon regjimin e Millosheviqit dhe planet e tij për spastrimin etnik. Ne kërkojmë nga presidenti i Republikës së Kosovës që ta shkarkoj trupin gjykues pasi kjo gjykatë ka marrë vendim kundër studentëve dhe Universitetit të Prishtinës  dhe i ka fyer të gjitha viktimat e luftës. Ne si studentë të Republikës së Kosovës do të nënshkruajmë edhe një peticion kundër këtij vendimi. Nëse presidenti nuk merr një vendim, atëherë ne do të organizojmë dhe do të mobilizohemi me protesta kundër vendimit“, tha ai.

Gjatë këtij aksioni studentët u penguan  nga Policia e Kosovës që të vendosin pankarta te Kisha Ortodokse serbe dhe te hapësira e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Ramusa tha se Rektorati i Universitetit të Prishtinës e ka neglizhuar çështjen e pronës së kampusit universitar ku është vendosur kisha, andaj do të kërkojnë edhe shkarkimin e rektorit Demaj.

“Edhe në Gjykatën e Apelit ku është marrë vendimi këta i kanë neglizhuar punët dhe nuk kanë qenë prezent dhe ne si Demokraci Studentore tash e tutje kërkojmë edhe shkarkimin e rektorit Marjan Demaj. Besoj që tash e tutje do të mblidhemi organizatat studentore dhe do të marrim një vendim së bashku të gjithë dhe më tutje do të kërkojmë dhe do të vazhdojmë aktivitetet simbolike, nuk po i quaj protesta”, tha ai.

Ndryshe, pas disa tentativave për të hyrë brenda në Rektorat, përfaqësuesit e kësaj organizate studentore u ftuan që të takohen  me menaxhmentin e Rektoratit, por ata nuk pranuan të hyjnë në takim pasi, sipas tyre, nuk duan që ta pengojnë procesin e punës.

Pankarta e studentëve, në të cilën prezantoheshin dëshmitë, në të cilat thuhet se objekti i Kishës Ortodokse serbe është vendosur me dhunë në kampusin universitar, u vendos para hyrjes së Rektoratit, e cila me të përfunduar aktiviteti studentor, u largua nga aty prej sigurimit të këtij objekti.