Studentët duhet të paguajnë për paraqitjen e provimit për here të dytë, flet Qehaja për vendimin e MASHT

Ministria e Arsimit,Kulturës dhe Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka krijuar lehtësira për pagesat e studentëve në universitetet publike.
Studentët janë liruar nga pagesa për semester, për studentët e rregullt, në nivelin -Bachelor- 25 € dhe për studimet në nivelin master 150 euro, për provim pranues – 2.5 euro, dhe për secilin provim diferencial për regjistrimin e studimeve të nivelit Master -5 euro, shkruan IndeksOnline.
Mirëpo, ata studentë të cilët paraqesin provimin për herë të dytë e tutje duhet të paguajnë shumën prej 1 euro për nivelin Bachelor, 2.5 për atë Master dhe 5 euro për atë të Doktoratës.
Këtë njoftim ka dhënë dje edhe Universiteti i Gjilanit, “Kadri Zeka” ku studentët janë shprehur të indinjuar me vendimin për pagesën për paraqitjen e provimit për herë të dytë.
F.K., student në këtë universitet, në një prononcim për IndeksOnline, tha se ky është një vendim i pakuptimtë.
“Mendoj që ky është një vendim shumë i pakuptimtë sepse ka shumë studentë që udhëtojnë prej komunës së Kamenicës, prej Vitisë, fshatrave përreth e duhet të shkoj për ta paguar provimin, e paguan rrugën që është shtrejtuar, e prapë për të shkuar në provim, paguaj rrugë, po del më shumë se një semestër pagesë”, tha ai.
Kurse Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, për IndeksOnline u shpreh se pritet të shihet ndikimi i kësaj politike.
Ai tha se pagesa e studimeve në institucionet publike nuk ka ndonjë siginifrancë për performancë më të mirë akademike të studentëve.
“Lirimi i studenteve nga pagesa është politikë e majtë e kamotshëme e partisë në pushtet. Çfarë do të jetë ndikimi i të njëjtës mbetet të shihet – përgjithësisht pagesa e studimeve në institucionet publike nuk ka ndonjë siginifrancë çoftë në nxitje për rekrutim apo performancë më të mirë akademike të studentëve”, tha ai.
Qehaja po ashtu rikujtoi që rreth 37,149 studentë të kolegjeve private që përafërsisht janë të të njëjtës shtresë socio ekonomike sikurse studentet nga publiku, janë të anashkaluar në tërësi nga kjo skemë.
Më poshtë mund të gjeni Udhëzimin Administrativ nr 17/2012 për aplikimin e pagesave të studentëve në universitetet publike dhe atë të dates 09/2021. /IndeksOnline/