Studenti i Fakultetit të Mjekësisë ndërron jetë disa momente para se të futet në provim
Të hënën pasdite ka ndërruar jetë studenti i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, L.GJ., 23-vjeçar nga Suhareka.
Vdekjen e 23-vjeçarit L.GJ. e ka konfirmuar drejtoresha e klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Myrvete Paçarada. Në një prononcim për Insajderin, Paçarada ka thënë se studenti 23-vjeçar kishte pësuar atak kardiak disa momente para se të futej në provim tek lënda e Gjinekologjisë.
Paçarada ka thënë se studenti nga Suhareka ndërroi jetë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, pas rreth dhjetë orësh trajtim nga mjekët.
Për ndarjen nga jeta të studentit L.GJ kanë reaguar edhe të afërm dhe miq të 23-vjeçarit L.GJ.
Mësimdhënësja nga Suhareka, Edona Morina-Bytyqi, e cila e kishte pasur nxënës 23-vjeçarin në shkollë të mesme, ka thënë se L.GJ. ishte djali i vetëm i familjes.